Një aksident tragjik i ka prerë jetën në mes gazetarit 26-vjeçar, Xhesjon Zogu. I riu humbi jetën ditën e sotme në një aksident të rëndë rrugor të regjistruar në aksin Fushë Krujë-Rinas, mbi urën e Gjolës.
Përplasja mes dy automjeteve ka rezultuar fatale për gazetarin, i cili udhëtonte me një automjet tip “Land Rover”. Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe transportimit drejt Spitalit të Traumës, Xhesjon nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Pamje nga aksidenti
Xhesjon, ka qenë një nxënës ekselent dhe një i ri me pasion të madh për gazetarinë. Dashuria për këtë profesion e kishte shtyrë të ndiqte rrugën e informimit, të raportimit dhe të përcillte te publiku ngjarjet që ndodhnin çdo ditë.
Në moshën vetëm 26-vjeçare, Xhesjoni kishte përpara një jetë me ëndrra, plane dhe ambicie në fushën e gazetarisë. Një jetë që sot u ndërpre papritur, duke lënë pas dhimbje dhe pikëllim te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.













