Një peticion online ka nisur nga një grup aktivistësh për të rikthyer përkrenaren dhe armët e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Prej më shumë se 430 vite, ato ndodhen në Muzeun e Vjenës dhe shtetit shqiptar, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme, nuk ka mundur t’i rikthejë.
“Para një viti, në bazë të një peticioni që ne organizuam, detyruam Muzeun e Vjenës që të vendosë përshkrimin e heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, prijësi i shqiptarëve në përshkrimin që mungonte. Të njejtën gjë duhet të bëjnë edhe për rikthimin e armëve.” – thotë Azmer Duleviç, nismëtar i peticionit.
Përpjekja e parë ishte në vitin 1917, kur një delegacion shqiptar mbërriti në Muzeun e Vjenës. Përpjekja e dytë u bë pas rënies së komunizmit, në vitin 1990, ndërkohë në vitin 2012, atëherë kur Shqipëria festoi 100-vjetorin e pavarësisë, pati një marrëveshje provizore ku armët dhe përkrenarja qëndruan për pak ditë në Tiranë.
“Armët e heroit tonë kombëtar janë padrejtësisht në Muzeun e Vjenës, pasi nuk ka dokumente zyrtare që këto armë të jenë blerë apo janë dhuruar. Edhe në faqen zyrtare të Muzeut të Vjenës thuhet që nuk ka asnjë evidencë zyrtare që armët janë dhuruar nga gruaja e Skënderbeut, siç thuhet nga gojëdhënat.” – thotë Azmer Duleviç.
Edhe turistët thonë se do të dëshironin që pasi të shihnin Sheshin Skëndërbej dhe bustin, pranë muzeut do të donin pjesën tjetër të historisë.
“Skënderbeu, hero yni kombëtar! Kam qenë tre herë këtu, e duash shumë Shqipërinë. Armët dhe helmetën e Skënderbeut ndodhen në Muzeun e Vjenës? Kujtova se ishin në muzeun tuaj. Skënderbeu është shqiptar, kështu që do të ishte mirë që të ishin këtu.” – thotë një turist.













