Elvis Lila do të jetë drejtuesi i përkohshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit, pasi institucioni ka mbetur pa drejtues prej ditës së djeshme kur SPAK njoftoi fletë arrestin për Vlora Hysenin dhe kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra.
Në kushtet kur një nga institucionet kyçe të sigurisë dhe kundërzbulimit në vend është në një situatë të tillë, është vendosur që drejtimi i përkohshëm t’i besohet Elvis Lilës.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit“, shkroi dje kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Amerikë.
Konkretisht, për Vlora Hysenin janë caktuar nga SPAK masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim.












