Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga një ulje e ndjeshme e temperaturave duke u shoqëruar me reshje shiu dhe dëbore.
Gjatë orëve të natës, në disa akse rrugore të Kukesit është evidentuar prani e gurëve dhe dherave, si pasojë e reshjeve. Gjatë mëngjesit të sotëm, prezencë inertesh është konstatuar në akset e Shishtavecit, Valbonës, Qafës së Malit dhe Bushtricës.
Ndërkohë, në bashkinë Tropojë në zonat e larta malore janë regjistruar edhe reshjet e para të borës për këtë sezon. Kryesisht, reshjet e dëborë kanë përfshirë bjeshkët e Markofçës, ku ndodhen edhe banorë që vijojnë të qëndrojnë në stane.
Sipas autoriteteve, reshjet e borës nuk kanë shkaktuar probleme, ndërsa trashësia e saj ka qenë e vogël.
Ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut e të borës kanë sjellë tashmë një panoramë tipike vjeshtore në zonën e Kukësit, ndërsa shërbimet e mirëmbajtjes vijojnë të monitorojnë akset rrugore.












