Zgjedhja e Justina Shiroka-Pula si presidente, i dha fund një ngërçi politik që kishte përfshirë Kosovën në 7 muajit e fundit, duke bërë që vendi tashmë të ketë kreun e shtetit.
Pas propozimit të Albin Kurtit, Shiroka Pula grumbulloi në total 81 vota, që i siguruan asaj karrigen e Presidentes. Propozimi i Kurtit erdhi pas refuzimit të emrave të mëparshëm, Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit, nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili i konsideroi ata figura politike dhe për këtë arsye të papranueshëm, duke mos u dakordësuar që të jepte votën për ta. Kështu, në minutat e fundit të afatit, kryeministri propozoi Shiroka Pulën, e cila në garë me Eliza Hoxhën, fitoi 81 vota duke u emëruar Presidente e Kosovës.
Pak minuta pas zgjedhjes së Shiroka Pulës e cila u betua se do të kryejë detyrën e saj me dinjitet dhe pa dallime mes qytetarëve, Kurti uroi presidenten për detyrën e re, ndërsa falenderoi kreun e PDK-së që pranoi propozimin.
Ajo që del në pah është fakti se Shiroka-Pula nga viti 2008 deri më 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Më pas, gjatë periudhës 2011–2014, ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, në krye të të cilës sot qëndron Bedri Hamza, i cili u dakordësua për kandidimin e saj.
Kush është Justina Shiroka-Pula?
Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe ish-ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës. Në dhjetor 2025 u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion.
E lindur në Prishtinë më 1953, ajo përfundoi në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare për teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb, më 1984. Si dhe kreu doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978 filloi angazhimin akademik në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Puna e saj mësimore dhe kërkimore përfshin menaxhmentin, ndërmarrësinë dhe vendimmarrjen në biznes.
Krahas karrierës akademike, Shiroka-Pula ka mbajtur edhe funksione politike. Nga viti 2008 deri më 2011 ishte ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Më pas, gjatë periudhës 2011–2014, ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Pas luftës u angazhua edhe në shoqërinë civile, në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Sipas biografisë së saj, ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit dhe në Universitetin e Arizonës.
Pula-Shiroka është anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga viti 2016.












