“Shkalla e Meritës” është nisma më e re e kryeministrit Edi Rama që ia ka ngarkuar një ministrie të re që pritet të krijohet në vijim vetëm për Administratën Publike.
Një prej detyrave kryesore të Ministrisë Për Administratën Publike, që do të drejtohet nga Adea Pirdeni, do të jetë testimi i të gjithë punonjësve të administratës që sipas Ramës synon ndërtimin e një administrate profesionale dhe të përgjegjshme.
“Ajo që mbetet shumë serioze, më shumë se në të tjerat, është se shumica dërrmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë se nëse punon apo nuk punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë që vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që e bën edhe më negativ këtë vlerësim, është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë”, u shpreh Rama.
Pirdeni tha se vlerësimi i punonjësve do të kryhet çdo 6 muaj dhe se të gjithë të punësuarve në administratë do t’u kërkohet të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite.
“Për këtë qëllim, do të krijohet një sistem i ri vlerësimi. Çdo person që dëshiron të bëhet pjesë e administratës publike do të duhet të aplikojë dhe të pajiset me një certifikatë të vlefshme për katër vjet”, tha Pirdeni.
Ajo tha se do të nisë procesi i pilotimit për rreth 300 drejtues në administratën publike dhe se do të krijohet një katalog kombëtar i pozicioneve dhe kompetencave për çdo profil, mbi bazën e të cilit do të ndërtohet sistemi i ri i rekrutimit. Gjithashtu, do të ngrihet një regjistër kombëtar talentesh, ndërsa të gjitha institucionet do të kenë detyrimin të publikojnë thirrjet për vendet vakante.












