Pas skandalit të videove intime që përfshiu disa personazhe të njohur të artit shqiptar, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndërmarrë veprime konkrete për heqjen e materialeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka bërë të ditur se institucioni ka marrë dhjetëra ankesa nga artistët e prekur, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje për ndalimin e shpërndarjes së videove.
“Pas apelit publik që u bë nga emisioni ‘Tech Talk’, ne në fakt patëm fluks ankesash, të cilat vinin nga qytetarë, nga artistë të prekur, edhe nga shoqëri civile, nga disa organizata”, deklaroi Krasniqi për Top Channel.
Sipas saj, vetëm gjatë kësaj jave janë përpunuar 54 ankesa që lidhen me rastin, të cilat janë vlerësuar në shkelje të legjislacionit dhe Kodit të Transmetimit. Pas komunikimit të AMA-s me platformën TikTok, janë hequr 45 publikime, ndërsa nëntë të tjera vijojnë të jenë në shqyrtim.
Kreu i AMA-s sqaroi se ndërhyrja është realizuar përmes bashkëpunimit me TikTok-un, në një kohë kur kuadri ligjor për monitorimin e platformave digjitale ende ka boshllëqe. Veprimet e ndërmarra synojnë të kufizojnë shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë e individëve dhe mund të nxisin bullizëm apo forma të tjera të dëmtimit publik të personave të përfshirë.
Megjithatë, bllokimi i 45 publikimeve nuk nënkupton se videot janë fshirë përfundimisht nga interneti apo se janë identifikuar personat përgjegjës për shpërndarjen e tyre. AMA u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë përmbajtje të ngjashme përmes faqes zyrtare ama.gov.al, në mënyrë që të kërkohet heqja e tyre nga platformat përkatëse.












