Piktori i shquar Minella Saro ka ndërruar jetë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, duke mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 92 vjeçare. Lajmin e trishtë e jep familja dhe miqtë e shumtë të artistit të madh fierak.
Përmes lirizmit të penelit, dritës së ngjyrave dhe ndjeshmërisë së tij krijuese, ai la një pjesë të vetes në kujtesën artistike të Fierit. Krijimtaria e tij do të mbetet dëshmi e bukurisë që arti i fal kohës dhe e gjurmës që një artist lë në shpirtin e qytetit të vet.
Minella Saro u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe ja kushtoi jetën gjinisë së pikturës dhe mësimdhënies së saj.
Piktori Minella Saro njihet si autor i dhjetëra kompozimeve, peisazheve dhe portreteve të ndryshme, nga të cilat mund të përmendim “Mbledhja e taksave”, pjesëmarrëse në Bienalen e Kajros më 1962, “Mbledhja e Poçemit”, “Shpallja e pavarësisë”, “Njerëzit e ditëve tona”, “Vajzat dhe çadrat”, etj.
Tablo dhe punime të Minella Saros ruhen dhe ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Galerinë e Arteve Figurative “Vilson Kilica” në Fier, si dhe galeri dhe koleksione private në Shqipëri, Francë dhe vende të tjera të botës.













