Albert Malaj luftoi deri ditën e fundit që bashkia e tij, Memaliaj të mos bashkohej me Tepelenën, por nisma e socialistëve mori dritën jeshile në Kuvend dhe zyrtarisht vendi do të ketë 15 bashki më pak. Një prej atyre që shkrihen, është dhe Memaliaj.
Sot, kryebashkiaku demokrat është pritur me duartrokitje e mirënjohje nga punonjësit e tij, të cilët e kanë falenderuar për betejën që ai bëri që Memaliaj të mos bashkohej me Tepelenën. Ndërsa Malaj, i ka siguruar se puna do të vazhdojë njëlloj deri ditën që bashkia e re të formohet.
Ata i kanë rezervuar një pritje të veçantë, ndërsa ai ka mbajtur një fjalë të shkurtër dhe është shprehur se “ndoshta jo të gjitha gjërat e këqija vijnë për keq”. Albert Malaj i takoi një nga një të gjithë punonjësit dhe i garantoi se deri në Qershor 2027, ata do të jenë në punë.
“Për ju që luftuat deri në fund, me vendosmëri, përkushtim dhe dinjitet, jo për interesa personale, por për njerëzit, për komunitetin dhe për të ardhmen e Bashkisë Memaliaj! Për ju që treguat se kur zemra rreh për vendin tënd, asnjë vështirësi nuk është e pakapërcyeshme dhe asnjë sfidë nuk është arsye për t’u dorëzuar.
Rruga mund të jetë e vështirë, pengesat mund të jenë të shumta, por kur qëllimi është i drejtë dhe motivimi buron nga dashuria për njerëzit, ia vlen të luftosh deri në fund!
Mirënjohje dhe respekt për ju! Për qëndresën, përkushtimin dhe besimin që keni treguar ndaj komunitetit të Memaliajt”, shkruajnë memaljotët ndër të tjera, duke theksuar se ata janë me të, deri në fund, me shpresën se ligji do të rrëzohet.












