Deputeti socialist Erion Braçe foli për zhvillimet politike, protestat dhe raportin e tij me Partinë Socialiste. Braçe është shprehur se fokusi i tij kryesor mbetet puna me qytetarët e zonës elektorale që përfaqëson.
Po ashtu ai theksoi se protestat që po ndodhin së fundmi po ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve. Braçe gjatë intervistës u pyet se do të kandidonte për Bashkinë e Tiranës, ai ka përsëritur kërkesën për zhvillimin e një gare të brendshme për përzgjedhjen e kandidatit të partisë.
“Kjo s’është puna ime. Unë kam një punë tjetër që lidhet drejtpërdrejtë me zonën time elektorale dhe me njerëz që jetojnë atje. Patjetër që si qytetar, e gjitha që po ndodh cenon të përditshmen e njerëzit. I frikëson, i bën të mos dalin nga shtëpia, të vonohen për punë, për shkollë, të vonohen për jetën e tyre të përditshme. Ana tjetër është që ka interesa legjitime atje që duhen bërë pjesë e reflektimit të qeverisë. Domosdo e shumicës parlamentare. Duhet ndarë ajo që është e dhunshme nga ajo që është interes legjitim.
Kjo është zgjedhja ime. Çdo ambient që je, partiak, parlament, publik, detyrimi është të thuash atë që mendon. Njerëzit duhet t’i thuash atë që mendon. Pastaj kush preket nga kjo gjë, mua nuk më intereson.
Unë kam kërkuar që të bëhet një garë brenda asaj partisë time dhe kandidati i partisë time të zgjidhet nëpërmjet garës. Unë kam kërkuar një garë dhe do i qëndroj deri në fund kësaj historie. Unë skam kërkuar që të më emërojnë.
Çfarë do ndryshoja nga Tirana? Pastërtinë. Është shumë e papastër. Tirana është e pisët sot që flasim.
Zegjineja? Në botë ka dy lloje burrash. Burra që flasin me gratë dhe burrat që flasin për gratë. Unë për gratë nuk flas. Unë jam ekonomist. Zonja Arta Dade ka qenë pedagoge. Ndërkohë zonjusha që ju po më pyesni është juriste, larg profesionit tim. E ka vitin e parë në mandatin e parë në Parlament. Edhe unë kështu kam qenë në mandatin tim të parë”, tha Braçe.












