Katër protestues janë vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së djeshme në Tiranë, e cila u shoqërua plot tensione, përplasje të ashpra me policinë, hedhje gurësh e molotovësh dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.
Dje për herë të parë policia aplikoi gjobën prej 5 milionë lekësh për individët që goditën me gurë dhe kryen veprime të dhunshme ndaj policisë dhe institucioneve.
Fatkeqësisht gjoba e parë prej 5 milionë lekësh u vendos ndaj një të mituri, që ishte vetëm në protestë, pa praninë e prindërve. I mituri u vu përballë kamerave, provave e fakteve të policisë dhe u shoqërua nga policia në komisariat.
Aty u kërkuan gjeneralitetet e prindërve dhe në prani edhe të punonjësve social u kërkua që ata të vinin në komisariat për të marrë fëmijën e tyre.
Në komisariat u paraqit vetëm e motra. Prindërit nuk erdhën. Motrësi u dorëzua vëllai, duke e vënë po ashtu përballë provave dhe fakteve se çfarë kishte kryer ai në protestë. Bashkë me djalin e vogël, u dorëzua edhe gjoba.
Plot 5 milionë lekë që do të paguhen tanimë nga familja për llogari të veprimeve të djalit të vogël në dëm të policisë dhe institucioneve. Kjo ishte gjoba e parë 5 milionë lekë, pasi këto masa anti-huliganizëm u shpallën nga qeveria 10 ditë më parë.












