Një adoleshent është rrezikuar seriozisht nga plumbat e gomës me të cilët është duke qëlluar në këto momente Policia e Shtetit, në tentativë për të shpërndarë protestuesit, në shkelje të standardeve profesionale të miratuara.
“Unë nuk do isha tani këtu”, dëgjohet të thotë adoleshenti i ulur në tokë, ndërsa thekson se ka humbur ekuilibrin si pasojë e goditjes në pjesën e qafë. Ai është ndihmuar nga protestuesit e tjerë.
I pyetur nga gazetari Osman Stafa, adoleshenti tregon se ka qenë duke mobilizuar të rinjtë, por nuk ka ushtruar dhunë, kur njëri nga efektivët me pushkë e ka qëlluar nga një distancë e afërt.
“Isha gati për vdekje në ato momente, por nuk dorëzohem kurrë. Kam dalë të protestoj sepse babin e kam në emigrim, mamin e kam të sëmurë, jam i shkatërruar”, është shprehur adoleshenti.
Kjo është hera e parë gjatë këtyre pesë ditëve revoltë, që Policia e Shtetit detyrohet të përdorë armë të vërteta, por të mbushur me plumba gome, të cilët janë standard për raste të tilla revoltash. Por, për një plumb gome, është kategorikisht e ndaluar goditja në pjesën e sipërme të trupit.












