Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e gjimnazeve, në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej disa ditësh dhe janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te dhuna gjatë protestave, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një liri kushtetuese, por sipas tij, ajo nuk duhet të ngatërrohet me aktet e dhunës.
Për të ilustruar këtë dallim, kryeministri mbajti në dorë një gur, të cilin e cilësoi si një objekt që mund të shkaktojë tragjedi kur hidhet drejt efektivëve të policisë.
“Vëmendjes vetëm për një arsye për të kamufluar çfarë në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin, që kjo është një protestë e studentëve dhe për të justifikuar kësisoj të gjithë këtë valë dhune e cila nuk ka të bëjë gjëkundi as me nxënësit, as me studentët, por me një grup njerëzish ku ka nga të gjithë.
Natyrisht që brenda në atë grup që agreson policinë, që mban nën një presion terrori qytetin, ka edhe studentë. Ka edhe studentë të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, studentë të cilët i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë dhe nuk do jenë asnjëherë as studentët, as qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës.
Ushtrimi i të drejtës për të protestuar është një liri kushtetuese e pamohueshme për askënd. Këtu nuk flasim për ushtrimin e të drejtës për të protestuar, këtu flasim për ushtrimin e dhunës. E kam marrë përsëri me vete këtë gur, sepse kur e mban në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Dhe ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie.
Dhe ky gur është objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar dhe për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet, për të marrë në mbrojtje ata“, u shpreh Edi Rama.












