Qeveria Rama ka ndryshuar sërish vendimin për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të angazhuar gjatë protestave, duke rritur numrin e efektivëve përfitues dhe fondin e parashikuar për ta.
Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, numri i punonjësve që do të përfitojnë shpërblim rritet nga 2 750 në 2 821 efektivë, pra 71 më shumë se në vendimin e 19 tetorit.
Ndërkohë, fondi i përgjithshëm për shpërblimet është rritur nga 740 milionë e 80 mijë lekë në 759 milionë e 187 mijë e 520 lekë, një shtesë prej mbi 19 milionë lekësh.
Nga përllogaritja e fondit të përgjithshëm, rezulton se për çdo efektiv është parashikuar një shumë mesatare prej 269 120 lekësh të vjetra, ose 26 912 lekë të reja.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare. Dokumenti mban emrin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në mungesë dhe me porosi të tij është firmosur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.












