Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, Vilma Mema, ka bërë me dije se 28-vjeçari Erion Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës, do të dërgohet në Itali për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale.
Sipas saj, pas konsultës me stafin mjekësor janë konstatuar disa shenja pozitive dhe gjendja paraqitet më e stabilizuar krahasuar me ditën e mëparshme.
Përmes një deklarate për media, Mema bëri të ditur se mjekët e Spitalit të Traumës dhe ata të QSUT-së kanë vlerësuar se pacienti ka nevojë për një tjetër ndërhyrje, për të përmirësuar mundësitë e rikuperimit të shikimit.
“Unë do të paraqes shkurt situatën që kemi konstatuar sot me mjekët e Spitalit të Traumës, dr. Elvisin, i cili ka kryer mbrëmë ndërhyrjen dhe mjekët e Shërbimit Universitar Nënë Tereza në QSUT. Sot kemi disa shenja pozitive pas konsultës me stafin e gjerë të kryer. Situata duket disi më e stabilizuar nga përfundimet që ne konstatuam dje. Përsëri stafi ka arritur në përfundimin se duhet kryer edhe një ndërhyrje e dytë, ajo e vitektromisë me heqjen e trupit të huaj, që kryhet në shërbimin e QSUT-së Nënë Tereza, por për një rezultat më të mirë të mundshëm të 28-vjeçarit, kemi bërë një bashkëpunim me një klinikë të specialisuar për retinën, traumat në Itali. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët janë vënë në dispozicion për të kryer transportin e pacientit sot. Jemi në bashkëpunim me mjekët atje sesi do të kryhet ndërhyrja e dytë dhe si do të jetë vijimësia në të ardhmen. Përsa i kërket shikimit, është në të gjithë protokollet ndërkombëtare, kryhet ndërhyrja e parë dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar. Kjo do duket në ditët në vijim”, tha Mema.












