Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të diel paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, e cila parashikon masa të ashpra për personat që kryejnë akte dhune, dëmtojnë pronën publike dhe private apo nxisin përplasje gjatë protestave.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te protesta e zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, duke pretenduar se në të kishin marrë pjesë persona të ardhur nga Spanja, të cilët i cilësoi si “mercenarë”, me qëllim nxitjen dhe ushtrimin e dhunës.
Rama theksoi se këto ndryshime parashikojnë kompetenca të reja për Policinë e Shtetit për parandalimin e dhunës. Sipas tij, kur identifikohen thirrje për dhunë në rrjetet sociale, Policia do të kërkojë fshirjen e përmbajtjes dhe në rast moszbatimi, mund të ndërmarrë hapa ligjorë.
Rama njoftoi gjithashtu se identifikimi i personave të maskuar gjatë protestave do të trajtohet përmes ndryshimeve në Kodin Penal.
“Kur identifikon një thirrje për dhunë në rrjetet sociale, Policia i dërgon një njoftim menjëherë për fshirjen e njoftimit. Nëse nuk fshihet, Policia vepron përmes ndjejes penale. Identifikimi i personave të maskuar. Sot në ligjin ekzistues prania e personave të maskuar në protestë është e ndaluar. Por ne do ta përfshijmë këtë në kodin penal,” thekson Rama.
Po ashtu në paketë kreu i qeverisë ka përfshirë edhe ndryshime në kodin e etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Sipas Ramës, mësuesit nuk duhet të përdorin autoritetin e tyre për të përfshirë nxënësit në protesta të paligjshme. Ai paralajmëroi masa disiplinore, përfshirë pezullimin ose përjashtimin nga detyra, për mësuesit që shkelin këto rregulla.
“Kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Asnjë mësues nuk mundet t’i çojë fëmijët në protesta të paligjshme, duke përdorur autoritetin e tij. Kush e bën do pezullohet apo përjashtohet,” deklaroi Rama.












