Politikani shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka bërë me dije se Koalicioni Shqiptar ka siguruar vota për dy mandate në Kuvendin e Serbisë, ndërsa është në garë për të fituar edhe të tretin.
Ai shkruan se koalicioni shqiptar ka marrë 27.230 vota. Ai e cilësoi këtë rezultat si arritje historike duke theksuar se ai është rezultat i bashkimit politik, besimit qytetar dhe angazhimit të përbashkët për përfaqësimin e shqiptarëve.
“ARRITJE HISTORIKE! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin!
Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota, që me rritjen prej 35% të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash.
Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij.
Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona“, shkruan politikani shqiptar ne Serbi.












