Kryeministri Edi Rama vizitoi ditën e sotme Muzeun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima ku pa nga afër dëshmi të një pjese të errët të historisë së Japonisë.
Në mbyllje të vizitës në muze, Rama nënshkroi librin e të ftuarve të nderit. Ai u ndal gjithashtu të fliste për të pranishmit, duke e cilësuar këtë vizitë si një përvojë të veçantë humanizmi për gjithë njerëzimin.
“Është padyshim një përvojë e mahnitshme vizita në vendin tuaj dhe të njohësh nga afër njerëzit tuaj të mrekullueshëm. Në Japoni, kjo është pika kulmore e vizitës tonë. Është tejet e rëndësishme sepse është një përvojë e veçantë humanizmi dhe për krejt njerëzimin. Unë dëshiroj shumë që kjo përvojë të na shërbejë të gjithëve si një mësim për të gjithë e përgjithmonë. As nuk mund të imagjinohet të luhet me armët bërthamore, ashtu siç luhet me lodrat e fëmijëve. Nuk duhet njeri të guxojë as të çojë në mend të kërcënojë qytetërimin tonë me bomba bërthamore” – u shpreh Rama në krah të Lindës.












