Ditën e djeshme biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli bëri me dije se duke filluar nga sot (e hënë) do të rifillojnë punimet në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mirëpo, duket se tensionet e vazhdueshme nuk “i janë ndarë” as këtë herë këtij projekti shumë të rëndësishëm infrastrukturor në vend.
Kjo pasi sipas raportimeve, kanë qenë punonjësit e “Mabco” të Pacollit, ata të cilët tashmë janë rikthyer në ambientet e kantierit të Aeroportit të Vlorës, por sapo kanë mbërritur janë përplasur me rojet e sigurisë të cilët kanë qenë ata që i kanë penguar të hyjnë.
Pas kësaj ata kanë tentuar të hynë me forcë duke shqyer derën, duke sjellë më tej që të konfliktohen me punonjësit e “2A Group” të Valon Ademit, dhe i kanë nxjerrë këta të fundit jashtë nga zyrat. Teksa policia ka shkuar në vendngjarje.
Kujtojmë se më 26 maj, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanisë “2A Group” lidhur me administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke ndryshuar vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë.












