Zv.kryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një takim koordinues në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq në ditët në vijim.
Balluku informoi mbi pritshmëritë, rreziqet dhe masat e marra nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të të gjitha strukturave shtetërore dhe informimit të qytetarëve në zonat e rrezikuara.
“Ndodhemi në sallën operacionale të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ky takim sot është thërritur për shkak të situatës dhe parashikimeve nga institucionet shtetërore të specializuara, përsa i përket situatës së motit. Shqipëria do të përfshihet nga një front atmosferik i ulët, me reshje me intensitet të lartë dhe me shpejtësi të lartë ere gjithashtu. Pritet që kjo situatë të nisë në orët e vona të natës së sotme, por nga ora një e mbrëmjes, ose në të gdhirë të datës 18 do të kemi një agravim të situatës, i cili nis nga veriu. Duke nisur nga veriu dhe më pas përhapet në verilindje, ne kemi të dhëna të cilat vijnë edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare që ka analizuar të gjithë situatën, sigurisht për arsye të mbushjes së basenit edhe të të gjitha volumeve që do të kemi dhe që do të na duhet që të elaborojmë, për këtë arsye ju bëj me dije se duke nisur nga data 11 nëntor Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka filluar që të ulë nivelet në basenin e Komanit dhe basenin e Vaut të Dejës, për të krijuar volume të lira për gjithçka që do të vijë nga prurjet anësore të përrenjve, që është dhe pjesa më e rrezikshme përsa i përket këtyre prurjeve.
Megjithatë, unë do të ndaloja vetëm për një moment, pasi t’ju kaloj fjalën juve, do të ndaloja në situatën e Fushë Shkodrës. Janë marrë masat nga KESH për të krijuar volume në të dy basenet dhe për të mbledhur kështu ujin pa qenë nevoja që të hapen portat. Megjithatë intensiteti në atë zonë, pra në gjithë zonën e kaskadës do të jetë shumë i lartë.
Nga ana tjetër duhet pasur parasysh që shikojmë një rritje të intensitetit në zonën e jugut, por më shumë në zonën e Himarës dhe të Sarandës. Ndërkohë për sa i përket zonës së Fierit dhe zonës së Vlorës, dy zona gjithashtu sensitive përsa i përket përmbytjeve për shkak edhe të shtratit të Vjosës, duket që intensiteti do të jetë më i ulët.
Sigurisht, në këtë moment është shumë i rëndësishëm bashkërendimi i të gjitha strukturave, si i Emergjencave Civile, ashtu edhe i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Nga ana tjetër, përsa i përket të gjitha ndërmarrjeve të infrastrukturës kritike janë të njoftuara duke nisur siç thamë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, më pas tek OSHEE-ja, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjithë ndërmarrjet e tjera, të cilat kryejnë shërbime të cilat shërbejnë në këto momente për të kontrolluar situatën.
Është e rëndësishme që të ketë një shkëmbim informacioni edhe përsa i përket pjesës së dinamikës që ka situata e kushteve atmosferike, pasi kemi parë që kemi pasur dy informacione që kanë ndryshuar në ndërkohë nga mbrëmë në darkë, ku kemi nisur të marrim informacionet e para nga satelitët, sot në mëngjes ka disa ndryshime, pra situata është dinamike për shkak edhe të fronteve të lëvizshme të korridoreve të erës në lartësi.
Për këtë arsye duhet që të ketë një koordinim edhe nga të dhënat që vijnë nga Aviacioni Civil, edhe nga të dhënat që vijnë nga satelitët që përdor KESH-i për të kontrolluar kaskadën, sigurisht me të gjithë informacionet që u vjen nga IGJEUM, apo edhe nga vetë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Shumë e rëndësishme të theksohet që ne do të kemi takime të vazhdueshme gjatë dy ditëve të ardhshme, por duhet që t’i bëjmë thirrje herë pas herë edhe përmes kryetarëve të bashkive të gjithë qytetarëve që jetojnë në zonat tradicionalisht të prekura nga përmbytjet, siç u përmend rasti i Fushës së Shkodrës apo të Lezhës, apo edhe zonat që janë afër Vjosës, siç është rasti i Fierit apo i Vlorës, që pavarësisht nëse reshjet aty nuk parashikohen të kenë intensitet të lartë në të dyja këto zona, nga ana tjetër prurjet e Vjosës mund të rrisin nivelin dhe mund të krijojnë problematika të tilla” u shpreh Balluku.












