Partia Demokratike ka depozituar në KQZ një kërkesë ku kërkon që të ndërhyhet nga Policia e Shtetit për të hequr logot dhe simbolet e PD nga zyrat me qira të koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës.
Kërkesa është depozituar nga Franc Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, si dhe Policisë së Shtetit.
“Jemi vënë në dijeni për keqpërdorimin e simboleve dhe logove të partisë tonë dhe Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Kemi marrë raportime nga mbështetësit tanë se veçanërisht në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në rrugën “Nikolla Tupe”, ka logo dhe simbole të partisë tonë te zyra e vjetër”, thuhet në ankesën e depozituar.
Më tej, në letër thuhet se “Kërkojmë nga KQZ dhe Policia e Shtetit marrjen e masave për heqjen e këtyre simboleve, logove dhe stemave nga këto zyra”.












