Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një reagim zyrtar këtë të enjte në lidhje me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në IEVP-në e Fierit, për të cilën shkruhet se është bërë në përputhje të plotë më kuadrin ligjor. Madje bëhet me dije se për transferimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë është vënë në dijeni dhe Prokuroria e Posaçme.
Në deklaratën e bërë për shtyp pasditen e kësaj të enjte, nga ana e institucionit bëhet me dije se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave, ndërsa dokumenti është cilësuar si “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë nuk mund të bëhet publik jashtë kushteve të parashikuara në ligj.
“Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.
Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
….
Në vijim të transferimit e të paraburgosurit E. V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.” theksohet përgjatë deklaratës.
Sa i përket trajtimit të Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve thotë se ai është vendosur fillimisht në sektorin e observimit më 28 tetor, ndërsa më 29 tetor është takuar me drejtuesit përgjegjës, të cilët kanë dëgjuar pretendimet e tij dhe i kanë dhënë sqarime. Më pas është vijuar me sistemimin e tij. Institucioni këmbëngul se janë ndjekur procedurat e zakonshme dhe thekson se vetëm nga 16 deri më 27 tetor janë kryer 24 transferime të tjera.
Vlen për t’u theksuar këtu se Erion Veliaj, ditën e djeshme transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit në Fier e cilësoi si një rrëmbim policor, ndërsa pretendonte se nuk ka qenë informuar për këtë lëvzje.












