Behgjet Pacolli, biznesmen shqiptar nga Kosova, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Kompania e tij ka ndërtuar Aeroportin e Vlorës, por nuk është lejuar ta përfundojë, dhe vetë Pacolli disa herë i ka bërë thirrje SPAK për hetime.
Siç shihet dhe nga pamjet, Behgjet Pacolli dhe avokati i tij, Eduard Halimi, futen në ambientet e organit qendror të hetimit, por deri tani nuk ka informacion nëse ata janë thirrur nga prokurorët për deklarimet publike, apo nëse ndaj biznesmenit është bërë kallëzim.
Aeroporti i Vlorës, më i madhi i realizuar në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, ku MABCO Construction S.A si investitori i huaj dhe financuesi kryesor i projektit ka investuar mjete të konsiderueshme financiare dhe profesionale, vazhdon të mbetet në një situatë të papranueshme juridike dhe faktike.
Behgjet Pacolli i ka bërë disa herë thirrje SPAK-ut që, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës çdo person që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate.












