Edi Rama i propozon Presidentit Bajram Begaj emërimin e Adea Pirdenit si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin.
Prej 3 vitesh Pirdeni ka shërbyer si zëvendës ministre e Drejtësisë, ndërsa sipas Ramës ajo ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian.
Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike.
Që prej vitit 2008, Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative. Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.












