Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, udhëtoi një ditë më parë drejt Korçës ku dhe zhvilloi një takim me qytetarët sa i përket reformës së re territoriale. Por pas këtij takimi, kryeministri, i shoqëruar nga djali i tij i madh, Greg Rama, vizitoi Malin e Shenjtë në Greqi.
Vizita në Shtetin Athonit është bërë publike nga media greke “Orthodoxia News Agency”, e cila ka publikuar edhe pamje nga qëndrimi i kryeministrit shqiptar në Manastirin e Madh të Vatopedit.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Shtetin Athonit dhe Manastirin e Shenjtë të Madh të Vatopaidit dje, të mërkurën, më 16 shtator 2026”, thuhet ndër rreshta në artikullin e kësaj medie.

I shoqëruar nga Greg Rama, kryeministri mbërriti në portin e Dafnës ku fillimisht zhvilloi një takim me Guvernatorin Politik të Malit Athos, Alkiviadhis Stefanis. Më pas, ai iu drejtua Manastirit të Madh të Vatopedit, ku u prit nga igumeni, Jerond Efremi Vatopedini.
Mësohet se gjatë kësaj vizite Rama është shprehur i impresionuar nga arkitektura e manastirit dhe pikturat, duke shfaqur admirimin e tij për trashëgiminë artistike dhe shpirtërore të Vatopedit. Ai thuhet se e kaloi natën në Manastirin e Madh të Vatopedit dhe u largua prej andej mëngjesin e sotëm.

Vizita në Athos vjen menjëherë pas takimit në Korçë, ku foli për rishikimin e hartës administrativo-territoriale të Shqipërisë. Në takimin e zhvilluar në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në fokus ishte veçanërisht e ardhmja e Bashkisë Maliq dhe propozimet për riorganizimin e njësive vendore në juglindje të vendit. Rama foli po ashtu edhe për të ardhmen e Bashkive Devoll dhe Kolonjë, ku deklaroi se pas reformës së re territoriale, këto dy bashki pritet të shkrihen në vitin 2031, duke u përfshirë në një riorganizim të mëtejshëm të hartës vendore.













