Euro ka pësuar rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun ditën e martë, duke prekur një minimum të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, ndërsa kërkesa për blerje është e dobët. Kjo ka sjellë rënie të mëtejshme të nivelit të kursit dhe sidomos të çmimit në shitje (ask) të ofruar nga bankat.
Zhvlerësimi i Euros bën më të lirë importin e mallrave dhe shërbimeve dhe vlerësohet se ka qenë një ndër faktorët që ka përcaktuar nivelet e ulëta të inflacionit në dy vitet e fundit. Por, nga ana tjetër, rënia e Euros ndikon negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve shqiptare dhe ul konkurrueshmërinë e tyre.












