Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi që kryebashkiaku Erion Veliaj të qëndrojë në qeli. Pavarësisht se mbrojtja dhe të tjerët pretendojnë se Tiranës i duhet një drejtues jashtë qelisë, togat e zeza vendosën ndryshe.
Edhe kryeministri Edi Rama thotë se e respekton vendimin e Gjykatës së Lartë, sepse vendimet e gjykatave duhet të respektohen, por sipas tij kryeqyteti është “pa kokë” dhe 1 milionë banorët e Tiranës po paguajnë pasojat e një eksperimenti.
Shënimi i Edi Ramës:
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq! Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.
Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:
Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik.”












