Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se nga Janari 2027, nafta dhe benzina do të kushtojnë mbi 30 lekë më lirë për litër.
Ministrja theksoi se kjo do të sjellë kosto më të ulëta për qytetarët, transportuesit, fermerët dhe bizneset, me ndikim pozitiv edhe në çmimet e produkteve.
“Kur mbushni makinën tuaj me 50 litra, kjo do të thotë se ju do të paguani rreth 1.500 lekë më pak, çdo herë. Nga kjo politikë fitojnë transportuesit, fermerët dhe të gjithë ju që përdorni makinën çdo ditë për të shkuar në punë. Dhe kur transporti kushton më pak, edhe mallrat në dyqan do të kushtojnë më pak, pasi kostot e prodhimit bëhen më të lira. Secili prej jush do të paguajë më pak për të udhëtuar, për të shkuar në punë, apo për të çuar fëmijët në çerdhe, kopsht apo shkollë”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se përmes Bordit të Transparencës do të garantohet që ulja e çmimit të reflektohet në çdo pikë karburanti në vend.












