Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka vendosur t’i heqë Anuela Ristanit delegimin e detyrave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Vendimi vjen pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli për më shumë se një vit.
Në vendim argumentohet se urdhri i datës 14 shkurt 2025, për delegimin e përkohshëm të detyrave të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, kishte karakter të përkohshëm dhe synonte garantimin e vijimësisë së funksionimit të administratës dhe shërbimeve të bashkisë.
Sipas vendimit të Veliajt, rrethanat institucionale kanë ndryshuar pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë arsye, ai vlerëson se nuk ka më arsye për vijimin e delegimit të kompetencave te Ristani.
Veliaj pretendon gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka pasur mungesë informimi dhe koordinimi institucional, si dhe moszbatim apo refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë të kryetarit të zgjedhur nga kryetarja e deleguar.
Sipas dokumentit, Ristani nuk largohet nga Bashkia, por vijon të mbajë detyrën e nënkryetares.













