Pas takimit të sotëm të zhvilluar me disa prej eksponentëve të politikës, presidenti Begaj ka dekretuar datën 9 maj për zgjedhjet vendore të 2027.
Edhe pse opozita zgjodhi të bojkotojë tryezën e konsultimeve duke e konsideruar atë si proces në shërbim të kryeministrit Edi Rama, data që u dekretuar sot nga Presidenti Begaj erdhi si propozim konkret fillimisht nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila më pas mori dhe mbështetjen e mazhorancës.
“Subjektet e përfshira në konsultë u treguan të hapur për secilën zgjidhje. Komisioneri sugjeroi datën 9 maj 2027, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqen këtë datë. Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve. Në këto kushte, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike datës 9 maj 2027.”, thuhet në deklaratën e ndarë për mediat pasditen e sotme.
Data 9 maj është dekretuar sot nga Presidenti i Shqipërisë, pas takimit të kryer me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.












