Belinda Balluku nga sot nuk mund të ushtrojë më kompetencat e saj si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pasi u mor e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro, Belinda Balluku akuzohet edhe për shkelje me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 20 mln euro.
Me një vendim gjyqtarit të GJKKO-së, Erion Çela, vetëm një ditë më parë, ndaj Ballukut janë caktuar dy masa sigurie, ajo pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit.
SPAK informoi se të dyja masat i janë komunikuar zv.kryeministres. Po ashtu janë ekzekutuar edhe dy masa arrest në shtëpi për dy vartësit e saj, kreun e ARRSH Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, aktualisht drejtori i KESH.
Vendimi i GJKKO-së është marrë me kërkesë të prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Për të dy tenderët, me vlerë totale prej 210 milionë eurosh, SPAK thotë se Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
Brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë. Që prej mesditës Balluku është në Kryeministri, ku më vonë ka mbërritur edhe ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja./ Report TV












