Bordi i Karburanteve ka vendosur të rrisë çmimet e tregtimit të naftës dhe benzinës, me 7 lekë për litër, vetëm një ditë pasi vendosi të ulte çmimin me 3 lekë.
Për rreth dy javë, çmimet mbetën të pandryshuara, pavarësisht se në bursë kishte rënie të fortë. Vetëm dje, Bordi i Karburanteve u kujtua të bënte një ulje modeste me 3 lekë, ndërsa sot rritja është më shumë se dyfishi. Kështu, Bordi i Transparencës sot më datë 8 Tetor 2026, vendosi:
– Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 217 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 205 lekë/litër.
– Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 193 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 181 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 8 ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
“Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, njofton Ministria.












