Shqipëria shumë shpejt pritet të dorëzohet para çmimeve ende të pranueshme të kafesë në bare, pasi importet e këtij produkti po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se në muajin janar 2025 një kilogram kafe është importuar 30% më shtrenjtë se në janarin 2024.
Enri Jahaj, Kryetari i Shoqatës së Bar-Restoranteve, pohoi se baret në vendin tonë janë vënë në vështirësi që vitin e kaluar për shkak se çmimi i kafesë dhe kakaos dy produktet bazë që shiten më shumë është rritur ndjeshëm vitin e fundit. Jahaj tha se në muajt e ardhshëm mars – prill pritet të ketë një reflektim në rritjen e çmimeve me pakicë për një filxhan kafe 10-30 lekë.
Mirëpo rritja e përgjithshme e kostove (pagat, etj) bashkë me rritjen e çmimeve të importit nuk mund të mbajë më çmimin e kafesë në nivelin aktual në një mesatare 70-150 lekë sipas zonave.
Kafeja nuk është vetëm një produkt konsumi në vendin tonë, por përfaqëson stil jetese të shqiptarëve, dita e të cilave nuk konceptohet pa kaluar disa kohë në baret për ta shijuar atë. Konsumi i kafesë sidomos në ambientet jashtë shtëpisë është arsye pse Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të barëve dhe restoranteve në Europë./ Rilindje.info












