Deputetja Marjana Koçeku, ka vendosur t’i shkruajë një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, pasi u largua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste duke mbetur një deputete e pavarur. Ajo ndalet te protesta, kërkesat e qytetarëve, Shqipëria dhe në fund mesazhet private me Edi Ramën.
Ajo shkruan se populli shqiptar është lodhur nga indiferenca e politikanëve ndaj njerëzve, dehja dhe deliri i tyre në pushtet, duke përfshirë udhëheqësin socialist të Shqipërisë dhe gjithë klasën e vjetër politike.
“Zoti Kryeministër, brezi i ri, të cilit unë i përkas, nuk intimidohet ashtu si brezi i prindve tonë, i cili shpesh pranonte poshtnimin dhe shantazhohej nga nevoja për me mbijetue. Ky brez asht pa komplekse dhe kërkon me e manifestu energjinë dhe lirinë e vet pa u ba mashë e as hije e pushtetit”, shkruan Marjana Koçeku.
Deputetja e vetëlarguar nga Partia Socialiste, tregon edhe momentin kur vendosi të përfshihej në politikë, por edhe momentin kur u deklarua e pavarur; si dhe atë që ajo e quan tentativë për t’i marrë frymën çdo zëri ndryshe.
“Hymja jeme në politikë ka qenë nji vendim që më mori kohë për me e gjet guximin që ta bajsha atë hap, por largimi nga formacioni që ju keni ndërtue dhe që sot ndodhet në nji dehje të thellë pushteti, më kërkoi edhe ma shumë kohë derisa gjeta guximin për me e realizue. Për ata që pyesin pse nuk fola ma herët, përgjigjja nuk kërkon shumë kohë. Drejtuesit e grupit që lashë pas nuk e pranonin mendimin ndryshe, as debatin, as ndjeshmëninë morale. Madje ata me çdo mjet përpiqen t’ia marrin frymën edhe tentativës ma të vogël për me qenë ndryshe, a me mendim të lirë”, vijon reagimi.
Marjana Koçeku e këshillon Edi Ramën që të bëjë ashtu siç populli po thërret prej më 22 ditësh nën zyrën e tij, që të japë dorëheqjen si kryeministër i Shqipërisë dhe të dorëzojë detyrën. Ajo zbulon edhe mesazhet me kreun e socialistëve, pasi vendosi të largohej nga partia.
“Në mesazhet e fundit që kena shkëmbye më keni thanë se kam me mbetë vetëm e pa besim dhe as njerëzit e maleve nuk kanë me më përfillë ma. Por unë nuk kam frikë me ecë vetëm, unë jam dhe do mbetem Marjana e maleve, e tash e kam kalue gardhin, pa kthim.Sheshi po thërret me za eumenidje. Po i jep pushtetit mundësinë me vendosë drejtësinë. Prandaj si deputete e Kuvendit dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë, ju baj thirrje me vepru në emën të së mirës së përbashkët; në emën të asaj që asht dhe jo të asaj që ju mendoni se asht; t’i shpërbleni shqiptarët me dorëheqjen tuej.”, përmbyll Marjana Koçeku.












