Regjisori dhe aktori i njohur Hervin Çuli, ka bërë një reagim të fortë për protestën studentore që ka mbërthyer tre ditët e fundit Tiranën, duke prodhuar revoltë të fortë dhe kaos në disa zona, kryesisht pranë qendrës.
“Nuk rrëzohet qeveria nga ca kalamaj rrugaçë me kapuça që djegin qytetin“, shkruan ai, duke pretenduar se fëmijët e mitur që vihen në vijën e parë të frontit të përplasjeve, po përdoren nga politika.
“Qeveria rrëzohet nga studentet e vërtetë, ata që mësojnë, ata që aspirojnë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri ku punohet e nuk vegjetohet duke pritur shansin me bo lek! Qeveria rrëzohet nga elitat intelektuale, nga populli i thjeshtë dhe i bukur“, thotë Hervin Çuli.
Regjisori i njohur shprehet se kërkohet distancim i menjëhershëm, sepse të gjithë po humbin nga ajo që po ndodh në Tiranë. Hervin Çuli thotë se edhe krahasimi me protestat në Francë, të cilat ai i quan “shembull idiot”, nuk janë e njëjta gjë.
“Mjaft se na u hap barku me shëmbullin idiot të protestave në Francë që janë komplet tjetër gjë. Populli i vërtetë duhet ti kthehet me lule sheshit, 24 orë po qe nevoja, ndryshe edhe ky moment historik do zhduket si pluhur në ajër. Në të kundërt, fatkeqësisht, meritojmë qeverinë që kemi!...”, vijon ai.












