Ndryshimi më i madh i motit vjen pas datës 12 shtator. Një masë ajrore e ftohtë me origjinë nga Poli i Veriut do të lëvizë drejt Ballkanit, pasi të sjellë destabilizim të atmosferës në Europën Qendrore.
Kjo situatë pritet të sjellë reshje dhe një ulje të temperaturave me rreth 10 gradë. Temperaturat nga 36-37 gradë do të zbresin në rreth 28-29 gradë, duke sjellë për disa ditë kushte më tipike të vjeshtës.
“Pas datës 12 do të përjetojmë pak a shumë disa nuanca të stinës së vjeshtës. Do të ketë zona që do të jenë edhe 10 gradë më pak krahasuar me çfarë jemi tani. Pra, nga 37 gradë termometri pas datës 10 do të jetë rreth vlerës 28 apo 29 gradë. Më pas, nga data 17-18, pritet sërish rritje e temperaturave”, u shpreh sinoptikania Porja.
Sipas parashikimeve, freskimi do të zgjasë rreth katër deri në pesë ditë, përpara se temperaturat të nisin sërish të rriten rreth datave 17-18 shtator.
Porja e lidh këtë situatë me një shtyrje të periudhave të ngrohta përtej muajve tipikë të verës. Temperaturat mbi normalen pritet të shfaqen jo vetëm gjatë shtatorit, por edhe gjatë tetorit dhe nëntorit, ndërsa reshjet pritet të jenë të pranishme në periudha të ndryshme gjatë muajve në vijim.












