Pas fitores së thellë në kryeqytet, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaron se Tiranën e presin shumë punë të mira. Veliaj deklaroi se qyteti do të ketë një zhvillim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në zonën e Bulevardit të Ri e cila do te ndryshoje plotesisht pasi do te ndertohen institucione te rendesishme.
“Unë besoj që siç në dy mandatet e parë kemi transformuar rrënjësisht këtë qytet, në këtë mandat të tretë ne mund të bëjmë akoma më shumë. Mund të fokusohemi pak më shumë në zhvillimin qytetit, sidomos në zonën e bulevardit të ri ku do të jetë Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, do ketë disa nga institucionet kyç të vendit. Do jetë Bashkia e re, do të jetë Muzeu i Artit Moderm Qendra e Re e Panaireve dhe Konventave”, tha Veliaj i cili listoi dhe një sërë projektesh të rëndësishme që do të sjellin një përmirësim të jetesës në kryeqytet.
“Na pret Kopshti Botanik, na pret terminali perëndimor, që sapo ka filluar punimet. Në terminalin lindor do të fillojë tani transferimi i mjeteve për t u siguruar që në Lundër mbaron gjithë trafiku që vjen me transport interurban nga jug-lindja”, tha Veliaj.












