Kryeministri Edi Rama është shprehur se ish-drejtori i FBI-së i arrestuar në Amerikë, ka shkuar në zyrën e tij për takim me kërkesë të vetë Charles McGonigal. Për herë të parë, Rama ka treguar mbrëmjen e sotme se FBI nuk e ka pyetur e as ka kërkuar shpjegime.
“Ish-zyrtarin e lartë të FBI unë e kam takuar me kërkesën e tij. Ai ka ardhur në zyrë, kemi pasur një bisedë miqësore. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse, për rajonin.Takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat i pranisë së tij këtu, dhe jam takuar krejt miqësisht pa axhenmdë, ose jam takuar në SHBA në asamblenë e OKB”, u shpreh Rama.
Rama tregoi se shqiptaro-amerikani Agron Neza ka qenë bashkë me McGonigal në takim në Kryeministri, por ky i fundit e ka prezantuar atë si “një mik të tijin”.
“Unë nuk kam takuar zyrtarin e FBI me asnjë lloj biznesmeni. Ai (McGonigal) ka ardhur së bashku me një qytetar shqiptaro-amerikan, që ma ka prezantuar si mikun e tij. Unë i kam thënë “bujrum”, vijon Rama.