Kryeministri Edi Rama, rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për Agjendën 2030 dhe integrimin në Bashkimin Europian, si pjesë e një procesi të vetëm transformimi.
Rama tha se që nga viti 2018 ka ndryshime drastike, pasi varfëria ne Shqipëri ka rënë nga 23,7% në 19%, vdekshmëria foshnjore është përgjysmuar dhe mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen online.
Për përshpejtimin e këtij transformimi, Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, me fokus te mbrojtja e fëmijëve, përgatitja e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimi i komuniteteve lokale dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian. Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë tri rrugë të ndryshme. Ato janë një rrugë e vetme transformimi.
Që nga Rishikimi ynë Kombëtar Vullnetar në vitin 2018, varfëria ka rënë nga 23.7 në 19 për qind, vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç është përgjysmuar, më shumë se 95 për qind e shërbimeve publike tashmë ofrohen online, pothuajse e gjithë energjia jonë elektrike vjen nga burime të rinovueshme, gratë mbajnë 35 për qind të vendeve në parlament dhe afro 50 për qind të posteve ministrore. Borxhi publik është shumë më poshtë se 60 për qind. Këto nuk janë thjesht statistika. Ato janë dëshmi se ndryshimi është i mundur. Dhe Shqipëria tani renditet e 44-ta në nivel global në Indeksin e SDG-ve për vitin 2026, duke qenë ndër vendet me performancën më të mirë në rajonin tonë.
Por angazhimet nuk i ndryshojnë jetët; zbatimi po. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka angazhuar 6 milionë dollarë amerikanë për Fondin e Përshpejtimit të SDG-ve, duke bashkuar ekipin e Kombeve të Bashkuara rreth katër prioriteteve si mbrojtjen e fëmijëve, përgatitjen e bizneseve për tregun e përbashkët të BE-së, rigjallërimin e komuniteteve lokale dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Rama.












