Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur magjistratëve të cilët refuzuan ftesën e tij. Përmes një njoftimi zyrtar, Kryeministria bën me dije se mbetet e hapur për vijimin e dialogut dhe dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimin.
Ajo thekson se nga dita e nesërme, do të nis punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat. Sipas tyre, kjo do bëhet me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit. Në fund, Kryeministria thotë se mbetet në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut.
Përgjigjja e kryeministrisë për magjistratët: “Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht.
Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit. Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtresë i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut”.












