Sali Berisha ka komentuar përplasjen në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të SHBA Donald Trump dhe homologut ukrainas Volodimir Zelensky.
Berisha lavdëroi Trump dhe e quajti rikthimin e tij si ngjarjen më të madhe që pas rënies së perdes së hekurt, ndërkohë që paralajmëroi edhe Europën se Amerika mund t’i thotë “goodbye”, pra mirupafshim!
Berisha tha se me Amerikën nuk mund të fitohet dhe Zelensky gaboi në takimin e tij me homologun amerikan.
“Rikthimi i Trump përbën ndryshimin më të madh në botë pas rënies së perdes së hekurt. Çdo 25-30 vite, bota gjendet para ndryshimeve që shumë pak kush i parashikon. Trump i deklaroi kombit amerikan dhe botës që armiku numër një i Shteteve të bashkuara është armiku i brendshëm. Ai bëri deklaratën më kurajoze të jetës së tij. Ai u tha që ju duhet të çliroheni nga këta armiq që po vendosin censurë dhe diktaturë, që po e shndërrojnë drejtësinë në armë politike. Ata armiq politizuan në ekstrem edhe institucione që duhej të qëndronin jashtë politizimit. Amerika kishte pësuar një transformim, një penetrim të ekstremit të majtë. Nuk fiton me Amerikën. Unë ushqej ndjenjat më të thella për luftën e Ukrainës, por roli i Amerikës në Europë në vlerësimin tim është jetik. Nëse Amerika nuk do të qe e pranishme në NATO, se ku do të ishin tanket ruse në Europë nuk e di. Rusia ka ambicie nga Balltiku te Adriatiku. Qenia e SHBA në Europë është për sigurinë e Europës”, tha ndër të tjera Berisha në Zonë e Lirë.












