Hetimi i SPAK për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin ka shtrirë aktivitetin e tij në 5 vende të tjera, përveç Shqipërisë.
Njoftimi i Prokurorisë se Posaçme sqaron se janë marrë të dhëna nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austri, Itali, San Marino dhe Qipër.
Dosja e SPAK shtrihet për një periudhë prej të paktën 15 vjetësh, me fokus në lobimin e shpallur prej Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku janë identifikuar shuma prej të paktën 400 mijë dollarësh që nuk janë deklaruar në bilancet vjetore të partisë. Kjo situatë ka nxitur SPAK të dyshojë për burimin e këtyre fondeve, duke e lidhur atë me korrupsionin.
Nga Qipro janë kryer pagesat për lobimin në SHBA, dhe janë ngritur akuza publike për llogari të fshehta që i përkasin çiftit Meta-Kryemadhi. Hetimet në Itali dhe San Marino janë fokusuar në akuzat për ndërhyrje estetike të Monika Kryemadhit, për të cilat ajo nuk ka deklaruar kostot në formularin e pasurisë.












