Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri e sheh të padiskutueshme fitoren e kësaj force politike në Bashkinë e Elbasanit, në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gjiknuri u shpreh se kandidati socialist, i cili është aktualisht kryebashkiak i Elbasanit, Gledjan Llatja ofron modelin e një djali qytetar dhe shtoi se ai ka mbështetjen e qeverisë, duke garantuar zhvillim për Elbasanin.
“Alternativa e tij për mua, është alternativë bunkeri politik, se nuk ofron gjë tjetër përveçse zgjatimin e foltores së Tiranës në Elbasan, pa asnjë koncept zhvillimi, pa asnjë program, pa asnjë garanci për ecurinë e qytetit, përveçse të eksportojë revolucionin virual të Berishës në Elbasan. Modeli jonë është modeli i një djali qytetar. Ai nuk është vetëm, ka mbështetjen e qeverisë shqiptare, ka një ekip të PS të plotë. Besoj se qytetarët e Elbasanit, jam i bindur se do e bëjnë fitoren e PS të padiskutuar”, tha Gjiknuri.












