Deputeti socialist, Taulant Balla ka dhënë dëshminë e tij 4 orë në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka deklaruar se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni pasi ka bërë disa kallëzime në SPAK.
I pyetur nga gazetarët, Balla la të kuptohet se një ndër çështjet për të cilat ai ka dhënë shpjegime ka qenë ajo e privatizimit të ish-kompleksit Partizanit.
“Besoj dhe shpresoj se Prokuroria do u shkojë në fund të gjitha këtyre akuzave, qoftë edhe ajo që ju përmendët për kompleksin sportiv “Partizani”. Kam bërë dhe për privatizimin e OSSH. Do jem këtu edhe nesër. Kërkoj që dhe ju të jeni këtu në orën 11.30, për një kallëzim që unë kam bërë ndaj Sali Berishes. Ju e keni bërë publike për çfarë unë kam qenë këtu. Kam ardhur si person që kam dijeni, natyrisht kam dhënë dhe shpjegimet e mia. U kam dhënë fjalën prokurorëve dhe djemve të BKH, se nuk do jap detaje nga ato që kam thënë”, u shpreh Balla.












