Teksa projekti për Aeroportin e Vlorës po avancon, edhe zona përreth tij pritet të marrë tjetër zhvillim.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka vlerësuar se nevoja për zhvillimin e një linje të re të furnizimit me energji për këtë aeroport por dhe për zonën rreth saj është i nevojshëm. Konkretisht bëhet fjalë për një linjë nga 35 kilovolt në Mifol në Aeroportin e Vlorës.
Zona e projektit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë. Novosela është qendra kryesore e zonës pranë autostradës Levan-Vlorë dhe është rruga kryesore që lidh këto zona me qytetin e Vlorës.
Ndërtimi i Aeroportit Vlorë është një investim i rëndësishëm pasi rrit aksesin e turisteve për në bregdetin e Jugut të Shqipërisë. Për furnizimin me energji elektrike të Aeroportit Vlorë duhet zhvilluar një infrastrukturë elektrike e përshtatshme, që të garantojë një shërbim cilësor kundrejt zhvillimit dhe pritshmërive afatgjata te zonës. Fondi limit për këtë është 59 milionë lekë.
Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë në vitin 2024 dhe të nisë operimin në vitin 2025.












