Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë fjalës së tij në Bruksel, se integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë gradual, por sipas tij i bazuar në meritë.
Sipas Ramës, të integrohesh në BE pa meritë, si plani për ‘anëtar të asociuar për Ukrainën’, është si të ‘marrësh patentën pa ditur makinën’.
Por kryeministri Rama tha se vendet aspirante për integrimin në BE duhen mbajtur afër, si me planin e rritjes, pasi sipas tij, ‘nëse e lë fëmijën jashtë shtëpisë, vajza mund të dashurohet me një gangster rus, ose të luajë me lodra kineze.
“Kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë për integrim gradual. Mendoj se plani i ri i rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe BE-së. Sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa u takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme. Përpjekjet për të bërë gjëra si ato që ju përmendët si ‘anëtar i asociuar për Ukrainën’ nuk shkojnë askund. E para, sepse është një gënjeshtër. Së dyti, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin thelbësisht thelbësisht të instrumentit të BE-së, të bazuar në meritë. Nuk është në interes të vendeve tona ta pranojmë këtë. Procesi i bazuar në meritë është një dhuratë për ne. Një proces që na bën ne të bëjmë gjëra që në të kundërt nuk do të ishim në gjendje t’i bënim. BE është burimi më i jashtëzakonshëm i vijës sesi ndërtohen institucionet. Po ashtu është vendi i duhur i torturës, por është për ne.
Të kërkosh të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë, është si të marrësh patentën, pa ditur makinën. Rrezikon veten dhe të tjerët. Besoj se ka ardhur koha për Komisionin Europian, për Këshillin, për shtetet anëtare, që t’i sjellë të shtatë, sepse 7 janë edhe fëmijët e Ursulës, t’i sjellë të shtatë rreth tryezës.
Nëse Ursula do i thoshte fëmijëve ‘duhet të rriteni aty jashtë në lagje, para se t’ju pranojmë në shtëpi, atëherë do të rrezikohej që fëmijët të mos vinin më në shtëpi. Larg qoftë, vajza mund të binte në dashuri me një gangster rus. Një tjetër vajzë mund të luante me lojëra kineze, deri në atë pikë që të mos kthehej më në shtëpi. Ne shqiptarët jemi pak të veçantë, jemi të dashuruar me BE-në dhe mund të qëndrojmë aty jashtë”, tha Rama.












