Për herë të parë samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.
Tirana, më 16 tetor do të jetë pritës i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve kyç të BE-së, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Prezentë në samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë, do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili krahas nevojës për bashkëpunim rajonal, do të përmend në adresimin e tij, edhe aktin e agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator, thotë këshilltari i tij, Jeton Zulfaj.
“Me 16 tetor do të kemi samitin e liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit, ku do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Aty pritet të kemi edhe një marrëveshje të re për profesione, ku do të kemi edhe katër profesione të reja që do të njihen nga të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, bënë të ditur keshilltari i Albin Kurtit.












