Socialistët në Komisionin e Etikës përjashtuan për 10 ditë nga punimet e Kuvendit 5 deputetë, ndërkohë që një i 6 është përjashtuar për 3 ditë.
Vendimi është marrë në një mbledhje pa praninë e deputetëve të opozitës dhe pa u lejuar 7 ligjvënësit e PD-së që të japin dëshminë e tyre në Komisionin e Etikës.
Deputetët e përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi janë: Bledion Nallbatit, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Gazment Bardhi. Ndërkohë Saimir Korreshi u përjashtua vetëm për 3 ditë, ndërsa Lefter Gështenja shpëtoi dhe ndaj tij nuk u morr asnjë masë.
Vendimi i marrë nga socialistët, ashtu sikundër është paralajmëruar më herët, nuk do të njihet nga opozita, e cila ka deklaruar se do të vijojë aksionin opozitar duke shkaktuar kaos në Parlament për të krijuar imazhin e destabilitetit të vendit.












