Juristja Brizida Gjikondi thotë se pavarësisht hileve që Sali Berisha po përdor, ish-kryeministri do të paraqitet para organeve të drejtësisë, në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizani, për të cilën akuzohet për korrupsion pasiv.
Në një intervistë për ABC News, Gjikondi u shpreh se Berisha është në dijeni të procesit, por nuk e pranon publikisht dhe kërkon që ta kthejë në një telenovelë. Sipas Gjikondit, Berisha po bën diçka të shëmtuar, pasi nuk ka as mbështetje.
“Lojën që po bën së fundmi Sali Berisha është shumë qesharake. Ai duhet të paraqitet në SPAK si ndërtues i pallateve ku ka bashkëpunuar dhëndri i tij. Pavarësisht hileve që përdor, është një qytetar që duhet të zbatojë të gjitha procedurat ligjore. Berisha po e bën këtë për ta bërë si një telenovelë. E gjitha kjo është në kuadër të verbërisë që i ka hedhur militantëve. Berishës i intereson që para militantëve të dalë si një burrë zakoni dhe që po ngre peshë njerëzit. Është e shëmtuar, nuk ka as mbështetje ndërkombëtare. Ka probleme me SHBA, Anglinë, asnjë nga Evropa nuk e qas për problemet e tij. Unë nuk ia kam besën Berishës dhe nuk ka për të shkuar të hënën tjetër në SPAK”, tha Gjikondi.












