Një ndër problematikat kryesore që po hasin aktualisht bizneset shqiptare në vend është mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të të rinjve drejt tregjeve evropiane të punës si dhe pretendimet për paga më të larta duke qene se prej afro një viti kostot e jetesës janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Por sa vende të lira pune ka aktualisht në Shqipëri? Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi si i vetmi kanal zyrtar për bizneset ku publikohen pozicionet vakante, rezulton se janë 6.588 oferta punësimi të shtrira në të gjithë vendin, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik.
Kështu vihet re se kërkohen mësues për degë të ndryshme në ciklin 9 vjeçar dhe gjimnaz, farmacistë, laborantë dentarë, inxhinierë ndërtimi, menaxherë, arkëtar, ekonomistë, specialistë marketingu, etj.
Ndër profesionet elementare apo zanatet kërkohen lavazhierë, marangozë, sanitarë, makinistë, kamarierë, rrobaqepës, punëtorë krahu, banakierë, kuzhinierë, punëtorë ambalazhimi, punonjës duro-alumini, mekanikë, shoferë, shitës, fermerë, mobilierë, etj
Këtë vit Qeveria Rama ndërmori një reformë për rritjen e pagave në sektorin publik me synimin që vitin ardhshëm paga mesatare në administratë të arrijë në nivelin 900 euro, ndërsa ka ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi në sektorin privat me qëllim ofrimin e pagesave më të mira për punonjësit.












